Vlera e dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes

Ky material para jush paraqet vblerën e dhjetë ditëve të muajit Dhul-Hixhe, veprat e mira të cilat mund të bëhen në këto ditë dhe vlerën e tyre. Materiali është i mbështetur në librin "Letaiful-Mearif" të Imam Ibën Rexheb Hanbeliut, por është i pasuruar edhe me citate prej autorëve dhe shkrimtarëve tjerë.
Hyrje
Prej mëshirës së Allahut [subhanehu ve teala] është dallimin që e ka bërë mes kohërave. Ai ka zgjedhur dhe ka veçuar çka ka dashur sipas urtësisë së Tij. Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
((وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ مَا كَانَ لَهُمُ الخِيَرَةُ..))
“Zoti yt krijon çka të dojë dhe zgjedh kë të dojë, atyre nuk u takon zgjedhja…”. (El-Kasas: 68).
Ky mbivlerësim është prej dhuntive dhe bamirësisë së Tij që të jetë ndihmëtar i besimtarit që ta ripërtërijë aktivitetin e tij dhe që ta shtojë shpërblimin dhe afërsinë ndaj Allahut [subhanehu ve teala].
Nëse ndalemi dhe e shikojmë realitetin e muslimanëve në këtë drejtim na bënë të qartë injorancën e shumicës së njerëzve ndaj vlerës së këtyre kohërave. Argument më i madh për këtë është: moskujdesi për t’i shfrytëzuar maksimalisht këto kohëra, gjë e cila dërgon në privim nga shpërblimi.
Ajo që na detyron të mendojmë rreth kësaj teme është dallimi i madh që gjendet mes faktit se dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes janë ditët më të mira dhe se veprat në këto ditë janë më të dashura te Allahu dhe mes sjelljes së njerëzve ndaj këtyre ditëve. Shumë njerëz aspak nuk u japin rëndësi, sikurse mos të kenë asnjëfarë vlere këto ditë.
Edhe pse këto ditë janë më madhështore sesa ditët e muajit Ramazan, mirëpo asgjë nga ajo që ndodh në muajin Ramazan, nuk ndodh në këto ditë.
عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ عَنِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: (( مَا الْعَمَلُ فِي أَيَّامٍ أَفْضَلَ مِنَ الْعَمَلِ فِي عَشْرِ ذِي الْحِجَّةِ قِيلَ وَلَا الْجِهَادُ فِي سَبِيلِ اللَّهِ قَالَ وَلَا الْجِهَادُ فِي سَبِيلِ اللَّهِ إِلَّا رَجُلٌ خَرَجَ بِنَفْسِهِ وَمَالِهِ ثُمَّ لَمْ يَرْجِعْ بِشَيْءٍ )) البخاري
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Veprat në asnjë ditë nuk janë ma të mira se sa në dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes. Thanë: as xhihadi në rrugë të Allahut? Tha: as xhihadi në rrugë të Allahut, përveç njeriut, i cili del me vetveten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë”. (Buhariu).
Biseda jonë mbi vlerën e dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes ndahet në dy pjesë: vlera e kësaj dite dhe vlera e veprave në këtë ditë.
Vlera e kësaj dite mbi ditët tjera
Sipas hadithit të lartpërmendur shohim se këto ditë janë ditët më të vlefshme se ditët tjera të vitit.
Ka’b ibn Ahbari ka thënë: Allahu e ka zgjedhur kohën, kurse koha më e dashur te Allahu janë muajt e shenjtë, kurse prej këtyre muajve më i dashur te Allahu është muaji Dhil-Hixhxhe, kurse ditët më të mira të Dhil-Hixhxhes janë dhjetë ditët e para të saja.
Allahu [subhanehu ve teala] është betuar në këto ditë duke thënë:
وَالْفَجْرِ(1)وَلَيَالٍ عَشْرٍ(2)
“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!”. (El-Fexhr: 1-2).
Mesruku [rahimehull-llah] duke komentuar këtë ajet thotë: “këto ditë janë ditët më të mira të vitit”.
Pasi që këto dhjetë ditë e kanë në vete edhe ditën e bajramit, atëherë pa dyshim bëhet e qartë se këto dhjetë ditë janë ditët më të mira të vitit.
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:
(( أعظم الأيام عند الله يوم النحر ثم يوم القر )) أحمد
“Dita ma madhështore është dita e Kurban Bajramit, pastaj dita pas sajë”. (Hadithi është sahih, transmeton Ahmedi).
Kurse sa i përket netëve të këtyre dhjetë ditëve, edhe ato janë me vlerë të barabartë sikur të ditëve. Sepse kur përmendën ditën, netët hynë në këtë vlerësim automatikisht. Allahu [subhanehu ve teala] është betuar në netët e këtyre ditëve duke thënë:
وَالْفَجْرِ(1)وَلَيَالٍ عَشْرٍ(2)
“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!”. (El-Fexhr: 1-2). Kjo tregon vlerën që e kanë edhe netët e këtyre dhjetë ditëve.
Vlera e dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes del në shesh duke i pasur para sysh këto elemente:
1- Allahu është betuar në këto ditë në mënyrë të përgjithshme, e për disa ditë të saja në mënyrë të veçantë.
وَالْفَجْرِ(1)وَلَيَالٍ عَشْرٍ(2)
“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!”. (El-Fexhr: 1-2).
Sa i përket agimit të mëngjesit dijetarët kanë dhënë disa mendime. Disa kanë thënë se është për qëllim agimi i mëngjesit, disa kanë thënë se është për qëllim namazi i sabahut, të tjerët kanë thënë se është për qëllim tërë dita, etj. Disa kanë thënë se për qëllim është mëngjesi i ditës së parë të dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes. Sidoqoftë, dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhës e kanë në vehte edhe këtë mëngjes me të cilin është betuar Allahu [subhanehu ve teala].
Kurse sa i përket dhjetë netëve me të cilat është betuar Allahu në këtë ajet, pa dyshime se ato janë netët e dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve të tefsirit.
Pastaj Allahu [subhanehu ve teala] është betuar edhe me ditën çift dhe tek, duke thënë:
وَالشَّفْعِ وَالْوَتْرِ(3)
“Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (El-Fexhr: 3). Ibn Abbasi [radijAllahu anhu] thotë: “dita çift është dita e kurban bajramit, kurse dita tek është dita e arafatit. Të këtij mendimi janë edhe Ikrimeja dhe Dahaku.
Këtij ajeti i janë dhënë shumë komentime, mirëpo sidoqoftë, dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes hyjnë në këtë betim.
2- Këta dhjetë ditë janë nga ato katërdhjetë ditë, të cilat ia ka premtuar Allahu Musait [alejhis-selam]. Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
وَوَاعَدْنَا مُوسَى ثَلَاثِينَ لَيْلَةً وَأَتْمَمْنَاهَا بِعَشْرٍ فَتَمَّ مِيقَاتُ رَبِّهِ أَرْبَعِينَ لَيْلَةً
“Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë net (afatin për shpallje), e ato i plotësuam edhe me dhjetë dhe kështu u mbush afati për takim Zotin e tij në katërdhjetë net…”. (El-A’raf: 142).
Muxhahidi [rahimehull-llah] thotë: “Asnjë vepër që e vepron njeriu gjatë vitit nuk është më e vlefshme se ajo që e vepron njeriu në dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes. Këto janë ato dhjetë ditë, me të cilat ia plotësoi Allahu, katërdhjetë ditët e premtuara Musait [alejhis-selam]”.
3- Këto dhjetë ditë janë përfundimi i muajve të caktuar për haxhxh.
Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ
“Haxhi është në muajt e caktuar…”. (El-Bekare: 197).
Këto muaj janë Shevvali, Dhil-Ka’deja dhe dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes. Të këtij mendimi janë shumica e sahabeve, tabiinëve dhe dijetarëve, siç është imam Ahmedi, Imam Ebu Hanifeja, Ebu Jusufi, etj.
4- Këto dhjetë ditë janë ditët e caktuara, në të cilat Allahu e ka përcaktuar dhikrin në shenjë falënderimi për që i ka furnizuar me kafshë gjatë haxhxhit.
Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالًا وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ(27)لِيَشْهَدُوا مَنَافِعَ لَهُمْ وَيَذْكُرُوا اسْمَ اللَّهِ فِي أَيَّامٍ مَعْلُومَاتٍ عَلَى مَا رَزَقَهُمْ مِنْ بَهِيمَةِ الْأَنْعَامِ فَكُلُوا مِنْهَا وَأَطْعِمُوا الْبَائِسَ الْفَقِيرَ(28)
“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta. (vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra, prej tyre (kurbanave) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin”. (El-Haxhxh: 27-28).
Shumica e dijetarëve thonë se këto ditë të caktuara janë dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes.
Përmendja e shumtë e Allahut gjatë dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes është në shenjë falënderimi për këtë dhunti, furnizimi me kafshë, që një pjesë e sajë ka të bëjë me fenë e haxhxhiut, kurse një pjesë me dunjanë e tyre.
Vlera e veprave gjatë këtyre ditëve
Hadithi i lartëpërmendur tregon se veprat më të dashura te Ai janë ato vepra që bëhen gjatë këtyre dhjetë ditëve. Në këtë gjë nuk ka asnjëfarë përjashtimi. Veprat më të dashura te Ai domosdo janë edhe më të mirat. Nëse veprat që kryhen gjatë këtyre dhjetë ditëve janë më të mira dhe më të vlefshme se sa veprat që bëhen gjatë ditëve tjera të vitit, atëherë ato vepra që bëhen në këto ditë edhe pse janë me ma pak vlerë, bëhen me vlerë ma të madhe se sa ato vepra që bëhen në ditët tjera, kurse në origjinë janë më të vlefshme se këto të parat.
Për këtë kur sahabet i kanë thënë: a xhihadi? Ai është përgjigjur: as xhihadi. Pastaj ka bërë një përjashtim edhe atë për xhihadin që është xhihadi më i mirë, e ajo është shkatërrimi i vetvetes dhe pasurisë në rrugë të Allahut.
Kur e kanë pyetur Pejgamberin [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] se cili është xhihadi më i mirë, ai ka thënë:
عَنْ عَمْرِو بْنِ عَبَسَةَ قَالَ أَتَيْتُ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَقُلْتُ : يَا رَسُولَ اللَّهِ ، أَيُّ الْجِهَادِ أَفْضَلُ؟ قَالَ : (( مَنْ أُهَرِيقَ دَمُهُ وَعُقِرَ جَوَادُهُ ))
“Atij i derdhet gjaku dhe i mbytet kali”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi dhe të tjerët).
Kurse sa u përket llojeve tjera të xhihadit, veprat e mira që bëhen gjatë këtyre dhjetë ditëve janë më të mira dhe më të dashura te Allahu sesa ato lloje të xhihadit. Kjo tregon se vepra më me pak vlerë që veprohet në kohë me vlerë, vlerësohet si ajo vepra me vlerë të lartë në kohët tjera, bile edhe ma shumë nga shkaku i shimfishimit të shpërblimit. (Shiko: “Letaiful-Mearif”, fq. 479).
Veprat më të pëlqyeshme gjatë këtyre ditëve janë këto:
1- Agjërimi.
عَنْ هُنَيْدَةَ بْنِ خَالِدٍ عَنِ امْرَأَتِهِ عَنْ بَعْضِ أَزْوَاجِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَتْ : (( كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَصُومُ تِسْعَ ذِي الْحِجَّةِ وَيَوْمَ عَاشُورَاءَ وَثَلَاثَةَ أَيَّامٍ مِنْ كُلِّ شَهْرٍ أَوَّلَ اثْنَيْنِ مِنَ الشَّهْرِ وَالْخَمِيسَ))
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] agjëronte nëntë ditët e Dhil-Hixhxhes, ditën Ashura (të dhjetë të Muharremit), tre ditë nga çdo muaj dhe të hënën dhe të enjten e parë të muajit”. (hadithi është sahih, transmeton Ahmedi dhe të tjerët).
Këto ditë i agjëronte edhe Abdull-llah ibn Omeri [radijAllahu anhuma], kurse Katadeja, Ibn Sirini dhe Hasan Basriu kanë folur mbi vlerën e agjërimit të këtyre ditëve. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve.
2- Namazi i natës gjatë këtyre ditëve.
Argument për këtë është hadithi i lartpërmendur dhe hadithet e shumta që flasin për vlerën e namazit të natës. Nëse namazi i natës ka vlerë të madhe gjatë ditëve të rëndomta, atëherë në këto ditë ka edhe ma shumë vlerë.
Në vijim do të përmendim disa argumente të përgjithshme rreth vlerës së namazit të natës.
Allahu [tebareke ve teala] thotë:
أَمَّنْ هُوَ قَانِتٌ آنَاءَ اللَّيْلِ سَاجِدًا وَقَائِمًا يَحْذَرُ الْآخِرَةَ وَيَرْجُو رَحْمَةَ رَبِّهِ
“(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet?”. (Ez-Zumer: 9).
وَمِنْ اللَّيْلِ فَتَهَجَّدْ بِهِ نَافِلَةً لَكَ عَسَى أَنْ يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًا مَحْمُودًا(79)
“Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur'anin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrisë ty në një vend të lavdishëm”. (El-Isra: 79).
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Te Allahu njeriu më i urryer është secili njeri i vrazhdë dhe i egër, dhe që bërtet në treg. Cofëtinë gjatë natës, gomar gjatë ditës, i dijë çështjet e dunjasë, mirëpo nuk i dijë çështjet e ahiretit”. (hadithi është sahih, transmeton Bejhakiu).
Dhe thotë:
“Allahu u qeshet dy njerëzve: njeriut i cili në natë të ftohtë ngrihet nga shtrati, jorgani dhe pëlhura e tij, merr abdes e pastaj ngrihet për tu falur. Allahu u thotë melekëve të Vet: çka e ka shtyrë robin Tim ta bëjë këtë vepër. Ata i thonë: nga shpresa dhe frika nga ajo që gjendet te Ti. Atëherë Allahu thotë: “ua kam dhënë atë që e shpresojnë dhe i sigurojë nga ajo që frikohen”. (hadithi është hasen. Transmeton Ahmedi dhe të tjerët).
Tregohet se Seid ibn Xhubejri [rahimehull-llah] kur hynin këto dhjetë ditë aq shumë falej saqë askush nuk mundej të fakej si ai. Dhe thoshte: mos i fikni llambat netëve të dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes, sepse i pëlqente adhurimi në këto net.
3- Sa ma shumë të bëhet dhikër në këto ditë.
Sepse veprat ma të mira janë ato vepra ku më së shumti përmendet emri i Allahut, e sidomos në haxhxh. Allahu [subhanehu ve teala] i ka urdhëruar muslimanët që ta përmendin sa ma shumë Allahun gjatë haxhxhit duke thënë:
فَإِذَا أَفَضْتُمْ مِنْ عَرَفَاتٍ فَاذْكُرُوا اللَّهَ عِنْدَ الْمَشْعَرِ الْحَرَامِ وَاذْكُرُوهُ كَمَا هَدَاكُمْ وَإِنْ كُنتُمْ مِنْ قَبْلِهِ لَمِنْ الضَّالِّينَ(198)ثُمَّ أَفِيضُوا مِنْ حَيْثُ أَفَاضَ النَّاسُ وَاسْتَغْفِرُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ رَحِيمٌ(199)
“Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të derdheni (hiqeni) prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë, ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur. Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit, kërkoni Allahut falje, se Allahu fal e është mëshirues.”
Ky dhikër bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes. Pastaj Allahu [tebareke ve teala] thotë:
فَإِذَا قَضَيْتُمْ مَنَاسِكَكُمْ فَاذْكُرُوا اللَّهَ كَذِكْرِكُمْ آبَاءَكُمْ أَوْ أَشَدَّ ذِكْرًا فَمِنْ النَّاسِ مَنْ يَقُولُ رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا وَمَا لَهُ فِي الآخِرَةِ مِنْ خَلَاقٍ(200)
“E kur t'i kryeni detyrat tuaja, përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, bile përmendeni edhe më fortë. Ka disa prej njerëzve që thonë: “Zoti ynë, na jep Ti neve në këtë botë!” për të nuk ka asgjë në botën tjetër”. (El-Bekare: 198-200).
Kurse kjo përmendje e Allahut bëhet ditën e Kurbanit që është përfundimi i dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes. Pastaj e ka urdhëruar ta përmendë Allahun në ditët e numëruara, që janë tre ditët pas bajramit, ditët e teshrikut.
Është e ligjshme për mbarë muslimanët që të marin pjesë me haxhxhinjtë në dhikër, përmendje të Allahut [tebareke ve teala] në vendet e tyre ku gjinden gjatë këtyre dhjetë ditëve të bekuara të Dhil-Hixhxhes.
Disa dijetarë kanë thënë se është e pëlqyeshme që të ngrihet zëri me dhikër gjatë këtyre dhjetë ditëve, e disa të tjerë kanë thënë, se nuk është e pëlqyeshme. (Shiko për më gjërësisht: “Letaiful-Mearif”, fq. 475 dhe “Tefsirin e Ibn Kethirit”, 3/216-217).
Transmeton Buhariu nga Ibn Omeri [radijAllahu anhu] dhe Ebu Hurejre [radijAllahu anhu] se ata dilnin në treg në dhjetë ditët e Dhil-Hixhxhes dhe bënin tekbir, e pastaj edhe njerëzit bënin tekbire me ta.
Kurse Xha’fer ferjabiu tregon në librin e tij “Libri mbi dy festat” se Seid ibn Xhubejri, Muxhahidi dhe Abdur-rahman ibn Lejla, e fukaha tjerë që kemi parë, gjatë dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes bënin tekbire.
4- Teubeja e sinqertë.
Teubeja e sinqertë është kthimi te Allahu dhe zëvendësimi i çdo vepre të cilën e urren Allahu, qoftë e fshehur ose publike, me vepër të cilën e Do Allahu. Kjo i kaplon edhe lënien e mëkateve edhe zbatimin e urdhrave. Kjo teube është obligim për secilin musliman kur të bjer në mëkat, pasiqë nuk e di se kur mund të vdes, kurse mëkatet e sjellin mëkatin tjetër, e kështu me radhë. Pastaj mëkati është i rëndë dhe me dënim të vështirë varësisht nga vlera e vendit dhe kohës ku bëhet ai mëkat.
Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
((يَا أَيُّهَا الَذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إلَى اللَّهِ تَوْبَةً نَّصُوحاً)) [التحريم: 8]
“O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…”. (Et-Tahrim: 8).
Ibën Kajjimi [rahimehull-llah] se teubeja e sinqertë i përmbledh tre elemente:
a) T’i kaplojë të gjitha mëkatet, b) përmbledhja e dëshirës dhe vullnetit dhe c) pastrimi nga njollat dhe të metat. Kjo është teubeja më e plotë. (Shiko: “Medarixhus-Salikin”, 1/316-317).
5- Haxhxhi dhe Umreja.
Koha e këtyre ibadeteve është gjatë këtyre dhjetë ditëve, pasi që shumica e adhurimeve të haxhxhit kryhen në këto ditë. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka nxitur të kryhen këto ibadete sepse e pastrojnë njeriun prej mëkateve dhe pastaj meritojnë nderimin e Allahut në ahiret.
6- Kujdesi për obligimet.
Qëllimi është kryerja e tyre në kohën e caktuara dhe plotësimi i tyre ashtu siç urdhëron sherijati dhe ashtu siç i ka bërë Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem]. Këto janë gjërat të cilat duhet ta angazhojnë besimtarin gjatë tërë jetës së tij.
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] thotë:
روى البخاري عن أبي هريرة (رضي الله عنه) قال: قال رسول الله -صلى الله عليه وسلم-: (إن الله قال: من عادى لي وليّاً فقد آذنته بالحرب، وما تقرب إليّ عبدي بشيء أحب إليّ مما افترضته عليه، وما يزال عبدي يتقرب إليّ بالنوافل حتى أحبه، فإذا أحببته: كنت سمعه الذي يسمع به، وبصره الذي يبصر به، ويده التي يبطش بها، ورجله التي يمشي بها، وإن سألني لأعطينه، ولئن استعاذ بي لأعيذنه، وما ترددت عن شيء أنا فاعله ترددي عن نفس المؤمن، يكره الموت، وأنا أكره مساءته)
Nga ebu Hurejre përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë:
Vërtet Allahu [subhanehu ve teala] thotë:
Do t’i shpall luftë atij që tregon armiqësi ndaj robit Tim!
Robi Im nuk më afrohet në mënyrë tjetër, përveç duke i kryer fardet (obligimet e domo¬sdoshme). Ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me anë të veprave vullnetare, që e shton edhe më tepër dashurinë Time ndaj tij, e kështu Unë filloj ta dua ate, e kur e dua, atëherë bëhem veshi me të cilin dëgjon, syri me të cilin sheh, dora me të cilën bie, dhe këmba e tij me të cilën ecë. Nëse ky rob kërkon diçka prej meje, Unë me siguri do t’ia jap, nëse kërkon strehimin Tim, vërtet Unë do ta strehoj atë. Unë nuk nguroj për asgjë më tepër se në marrjen e shpirtit të robit Tim fisnik: ai e urren vdekjen, e Unë e urrej lëndimin e tij. (Buhari)
Ibn Haxheri [rahimehull-llah] thotë: “Kryerja e obligimeve ashtu siç kërkohen, zbatimi i urdhrit, respektimi, Madhërimi dhe nënshtrimi, shfaqja e madhërisë së Zotit dhe nënshtrimit të robit. Afrimi me këto vepra është vepra ma e madhe”. (Shiko: “Fethul-Bari”, 11/351).
Kurse kujdesi ndaj obligimeve është një cilësi e lavdëruar, me të cilën Allahu i ka lavdëruar besimtarët:
((وَالَّذِينَ هُمْ عَلَى صَلاتِهِمْ يُحَافِظُونَ)) [المعارج: 34]
“Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj rregullave të namazit të tyre”. (El-Mearixh: 34).
Kurse kjo përkujdesje është edhe më e rëndësishme gjatë këtyre ditëve, pasi që Allahu i do veprat që kryhen në këto ditë dhe shumëfishohet shpërblimi.
7- Shtimi i veprave të mira.
Veprat e mira çdo herë janë të dashura te Allahu, në çdo kohë dhe çdo vend, mirëpo përforcohet në këto ditë të bekuara, pasi që kanë vlerë dhe shpërblim të madh. Nëse njeriu nuk ka mundësi të shkojë në haxhxh, atëherë le të angazhohet me vepra të mira siç është namazi, leximi i Kur'anit, dhikri, lutja, sadakaja, bamirësia ndaj prindërve, kujdesi ndaj farefisit, urdhërimi në të mirë dhe largimi prej të këqijave…etj. Këto janë shkaqet më të mëdha për të arritur dashurinë e Allahut [tebareke ve teala].
8- Therja e kurbanit.
Është obligim për atë njeri që ka mundësi të therrë kurban. Allahu [subhanehu ve teala] e ka urdhëruar Pejgamberin [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] që të therë kurban duke i thënë:
((فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ)) [الكوثر: 2]
“Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”. (El-Keuther: 2).
Në këtë urdhër hynë edhe therja e kurbanit edhe falja e namazit të bajramit.
Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kujdesej për këtë vepër. Ibn Omeri [radijAllahu anhu] thotë: “Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] qëndroi në Medinë dhjetë vjet, çdo vjet ka therrur kurban”. (Shiko: “Mexhmu’ul-Fetava”, 23/161).
9- Namazi i bajramit.
Ky është obligim, andaj duhet marrë pjesë, duhet dëgjuar hutben dhe duhet menduar rreth urtësisë së bajramit, i cili është ditë falënderimi dhe veprimi të veprave të mira.
10- Dita e arafatit.
Për vlerën e kësaj dite do të flasim në ndonjë rast tjetër në veçanti.
Dhe për fund
Pasi që Allahu [subhanehu ve teala] ka futur në zemrën e besimtarëve mallëngjimin për të parë Kaben, kurse secili njeri nuk ka mundësi që për çdo vjet të shkojë atje për ta parë, andaj edhe haxhxhin e ka bërë obligim vetëm një herë në jetë. Mirëpo koha e dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes e ka bërë të përbashkët mes atyre që kanë shkuar në Kabe dhe atyre që qëndrojnë në vendet e tyre, kështu që ai që s’ka mundësi të shkojë në haxhxh në atë vit, ka mundësi të veprojë vepra të mira gjatë dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes në shtëpinë e vet, vepra të cilat janë më të mira se xhihadi, i cili është më i mirë se haxhxhi.
Poeti thotë:
ليالى العشرِ أوقاتُ الإجابةِ فبادِر رَغْبَةً تَلْحَق ثَوَابَه
ألاَ لاَ وَقت للعُمَّال فيه ثَوَابُ الخَيْرِ أقْرَبُ للإصابَه
مِن أوقات الليالى العَشرِ حقاً فَشَمِّرْ واطْلُبَنْ فيها الإنَابة
Dhjetë netët janë kohë të përgjigjes
Nxito me dëshirë që të arrish shpërblimin
S’ka shumë kohë për punëtorët në to
Shpërblimi i mirë është afër për ta qëlluar
Me të vërtetë koha e dhjetë netëve
Bëhu gati dhe gjatë tyre kërko pendimin
Kujdesuni prej mëkateve, sepse ato të privojnë nga falja në kohën e mëshirës. Transmeton Marvedhiu në “Librin mbi devotshmërinë” një tregim që ka të bëjë me një sahabe ose tabiin, të cilit, gjatë dhjetë ditëve të Dhil-Hixhxhes, i ka ardhur në ëndërr një njeri dhe i ka thënë: secilit musliman i falen mëkatet në këto ditë. Për çdo ditë nga pesë herë. Përveç atyre që luajnë shah. Ata thonë mat (që në arabisht domethënë vdiq): çka është vdekja e tij?! E nëse loja me shah e pengon njeriun që t’i falen mëkatet, vallë çka do të thoshim për atë njeri i cili insiston në mëkate të mëdha, për të cilat ka konsensus mes dijetarëve?!
Poeti thotë:
طاعة الله خير ما لزم العبد فكن طائعا و لا تعصِيَنَّه
ما هلاكُ النُّفُوس إلا المعاصى فاجْتَنِب ما نهاك لا تقرَبَنَّه
إنَّ شيئا هلاكُ نَفْسِك فيه يتبغي أن تَصونَ نفسك عنه
Respekti ndaj Allahut është gjëja ma e mirë për të cilën kapet robi
Bëhu prej atyre që respektojnë e mos bë mëkate ndaj Tij
Sepse shkatërrimi i shpirtit vetëm prej mëkateve vjen
Largohu prej asaj që të ndalon dhe mos u afro
Sepse ku e ke shkatërrimin e shpirtit tënd
Prej asaj duhet të mbrosh vetveten.
Mëkatet janë shkak i përzënies dhe largimit, ashtu sikurse që adhurimet janë shkaqe të afërsisë dhe dashurisë.
Në këto ditë vëllezërit e juaj i kanë veshur ihramet, janë nisur për në Kabe, e kanë mbushur gjithësinë me telbije- lebbejke Allahumme Lebejke, me tekbir – Allahu Ekber, me tahmin – El-Hamdulilah, me tehlil – La ilahe il-lallah. Ata kanë shkuar, kurse ne kemi mbetur në shtëpi, janë afruar kurse ne kemi mbetur larg, e nëse edhe na marrim pjesë në hisen e tyre, kjo na bënë që të gëzohemi.
Ai që nuk ka pasur mundësi të shkojë për shkaqe të arsyeshme është ortak i atij që ka shkuar. Ndoshta ky që udhëton me zemër arrin para atyre që udhëtojnë me trup.
Poeti thotë:
يا سائرين إلى البيت العتيق لقد سرتم جسوماً وسرنا نحن أرواحاً
إنَّا أقمنا على عذر و قد رحلوا و من أقام على عذر كمن راحا
O ju që shkoni në shtëpinë e lashtë
Ju jeni duke shkuar me trup, kurse ne udhëtojmë me shpirt
Ne kemi arsye, kurse ata kanë shkuar
Kush nuk shkon me arsye, i ngjan atij që ka shkuar.
Tentoni t’i shfrytëzoni rastet në këto ditë madhështore, sepse nuk kanë kompensim e as që mund të vlerësohen. Nxitoni në vepra të mira, shpejtoni para se t’ju sulmon exheli, para se të pendohet mëkatari për atë që ka vepruar, para se të kërkon kthim, mirëpo askush nuk do t’i përgjigjet, para se të pengon vdekja shpresuesin që të arrijë te ajo që e shpreson dhe para se të bëhet njeriu peng i veprave të veta në varr.
O ti që të ka arritur mëngjesi i katërdhjetëshit! O ti që të kanë kaluar edhe netët e dhjetë viteve tjera derisa i mbushe pesëdhjetë vjet. O ti që je duke e pritur vdekjen mes gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë vjetëve! Çka pret pas kësaj kohe përveç se me të ardhur vdekja?! O ti njeri që ke mëkate se tekat dhe çiftet! A nuk turpërohesh nga melekët që i shkruajnë veprat, ose vallë je prej atyre që nuk i beson ditës së Kiametit?! O ti njeri që e ke zemrën të errësuara si nata! A nuk i ka ardhur koha zemrës tënde të ndriçohet dhe të zbutet?! Ekspozoju fryrjeve të Zotit tënd në këto dhjetë ditë, sepse në këto ditë Allahu ka fryrje të cilat e godasin cilindo Ai, kurse atë që e godasin, jeton i lumtur tërë jetën.
Poeti thotë:
جَنَحَتْ شَمْسُ حَيَاتِي و تَدَلَّتْ للغروب
و تولَّى لَيْلُ رَأسِي و بَدَا فَجْرُ المَشِيبي
ربِّ خلِّصْنِي فقد لَجَجْتُ في بحر الذُّنُوبِ
وأنَلْنِي العَفْوَ يا أقْرَبَ مِنْ كلِّ قريبِ
Ka anuar dielli i jetës sime
I është afruar perëndimit
Nata ma ka kapluar kokën
Kurse mëngjesi i thinjës ka dalë
Zoti im, më shpëto, sepse
Në detin e mëkateve jam fundosur
Më kaplo me falje, Ti që
Je më afër se çdo i afërt.
Vërejtje: Shumica e materialit që ua paraqesim është marrë në libri “Letaiful-Mearif”, të Ibën Rexheb Hanbeliut, mirëpo ne kemi bërë ndryshim të renditjes, përkthimi ka qenë i lirë, dhe në disa raste jemi ndihmuar me shkrime tjera.
Bekir Halimi


Publikoni komentin tuaj